Kjo është Sibela Abedini, 27-vjeçarja që vdiq mbrëmjen e së shtunës në rrugën Teuta në Kamëz, në rrethana ende të paqartësuara plotësisht.
Kishte të dalë të pinte një cigare në koridorin e shkallëve, ndërsa pak minuta më pas familjarët kishin mësuar se kishte rënë nga lartësia.
Familjarët e saj kanë dyshime se Sibelën e kanë shtyrë dhe e kanë vrarë.
Policia e Tiranës njoftoi këtë të hënë se ngjarja është një vetëvrasje e shkaktuar nga ngarkesa psikologjike që asaj i ishte shkaktuar nga publikimi i një fotoje intime në TikTok.
Policia bëri me dije se kishte arrestuar si të dyshuar Altin Çokun, 39-vjeçar, i njohur së fundmi si një personazh TikTok-u, për shkak të sensit të protagonizmit të shtuar, here për shkak të aftësive ndryshe trupore dhe shëndetësore dhe herë si pjesë e konflikteve që krijonte me të tjerët.
Në një rrethanë ende të pasqaruar, ai kishte krijuar një marrëdhënie me 27-vjeçaren Sibela Abedini me origjinë nga Lezha, e cila prej kohësh jetonte në Kamëz së bashku vajzën e saj 2-vjeçare, motrën, vëllain dhe të ëmën.
39-vjeçari i kishte bërë asaj një foto intime së bashku. Foto e cila ishte publikuar më pas në rrjetin social TikTok nga ky profil: userrrrshiba. Altin Coku.
Por Altin Çoku kishte dalë dhe në live TikTok duke e përgënjeshtruar se e kishte shpërndarë ai atë foto dhe duke ngritur një alibi se kishte qenë një shoku i tij që ia kishte marrë foton nga telefoni dhe më pas shpërndarë.
Prej rreth 1 muaji Sibela Abedini ishte zhvendosur së bashku me vajzën e mitur nga Kosova në Shqipëri. Familjarët tregojnë se kishte patur një mosmarrëveshje që nuk ishte divorc, ndërsa kërkojnë që autori të marrë dënimin maksimal.
Por Altin Çoku, përveçse si personazh TikTok-u është i njohur si me precedentë të theksuar kriminalë dhe për kryerjen e veprave shumë të rënda kriminale.
Në mars të vitit 2010 ai kishte tentuar të digjte të gjallë djalin e mitur të dajës së tij dhe të detyronte vajzën e dajës së tij për të vijuar lidhjen seksuale që kishte patur me të më herët. Për ta detyruar këtë të fundit të qëndronte në lidhje i kishte vënë flakën kushëririt të tij, i cili ishte vëllai i mitur i vajzës së dajës.
Emisioni Uniko ka siguruar të dhënat nga dosja hetimore e prokurorisë së Kurbinit.