Ditën e djeshme JOQ publikoi një video ku shihej se si një i moshuar ishte katandisur si mos më keq nga djali i tij. Robert Staka dhunoi babanë e tij, Angjelin Staka, 79 vjeç dhe e postoi në rrjetet sociale.
Ish-montazhieri i prezantuar si gazetar në Shkodër dhunon prindërit dhe kërkon t’i nxjerrë ata nga banesa me qëllim për të shitur shtëpinë dhe me këto para pretendon se do të hapë një portal
Gjatë kontrollit në banesën e 37-vjeçarit, policia gjeti edhe një armë imituese, teksa menaxhonte llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, të cilat i keqpërdorte për të fyer dhe për të shpifur për shtetas të ndryshëm.
NJOFTIMI I POLICISË:
Kanosi dhe dhunoi babanë e tij, i cili ishte i pajisur me urdhër mbrojtjeje nga ai, si dhe kishte në posedim një armë imituese, vihet në pranga 37-vjeçari. Gjithashtu, në një ambient të marrë me qira, të përshtatur me kompjuterë dhe me pajisje të tjera elektronike, 37-vjeçari menaxhonte llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, të cilat i keqpërdorte për të fyer dhe për të shpifur për shtetas të ndryshëm.
Sekuestrohen një armë imituese e armës së zjarrit, 2 kompjuterë, 2 celularë dhe pajisje të tjera elektronike. Si rezultat i reagimit të menjëhershëm pas kallëzimit të një shtetasi, se djali i tij e kanoste dhe e dhunonte, ndërkohë që kishte marrë urdhër mbrojtjeje nga ai, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër arrestuan shtetasin R. S., 37 vjeç, banues në Shkodër.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, shërbimet e Policisë kryen kontrolle në banesën e 37-vjeçarit, ku gjetën një armë imituese të armës së zjarrit. Gjithashtu, nga verifikimet rezultoi se shtetasi R. S., në një ambient të marrë me qira, menaxhonte nëpërmjet kompjuterëve dhe pajisjeve të tjera elektronike, llogaritë që kishte në Facebook dhe në WEB, në të cilat postonte fyerje dhe shpifje kundrejt shtetasve të ndryshëm, disa prej tyre me funksione publike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Kanosja”, “Dhuna në familje”, “Fyerja”, “Shpifja”, “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”.