Një ngjarje tragjike ka ndodhur në qytetin Valls të Katalonjës, në Spanjë, ku një fëmijë rreth dy vjeç e gjysmë ka humbur jetën pasi ka qëndruar i mbyllur për rreth katër orë në një makinë të parkuar, në mes të temperaturave përvëluese.
Sipas raportimeve të agjencisë Efe, autoritetet po hetojnë mundësinë që fëmija të jetë harruar aksidentalisht nga babai i tij, i cili kishte shkuar në punë, duke e lënë makinën pranë kompanisë ku punonte. Temperaturat në zonë kishin kapur mbi 36 gradë Celsius, veçanërisht në orët 12:00-15:00, kur edhe besohet se fëmija ndodhej i mbyllur në automjet.
Një kalimtar që kishte dyshime për praninë e një fëmije në vështirësi në makinë e informoi menjëherë babain, i cili vrapoi në përpjekje për ta shpëtuar të birin dhe e nxori nga automjeti, duke tentuar ta çonte në një zonë të freskët. Por, fatkeqësisht, shërbimet e urgjencës konstatuan se ishte shumë vonë për të ndërhyrë, ndërsa babai ka përjetuar një gjendje të rëndë shoku pas marrjes së lajmit për humbjen e të birit.
Policia katalanase ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ndërsa autopsia do të përcaktojë zyrtarisht shkakun e vdekjes, me hipotezën kryesore të lidhur me goditjen fatale nga nxehtësia.
Kjo tragjedi vjen në një moment kur Katalonja po përballet me temperatura rekord dhe një situatë të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve që kanë përfshirë rajonin. Dy persona humbën jetën në komunën e Coscò-së, brenda perimetrit të një zjarri të përmasave të mëdha që ka djegur mbi 5,000 hektarë tokë.
Ekspertët paralajmërojnë se valët ekstreme të të nxehtit po rrezikojnë gjithnjë e më shumë jetët e qytetarëve, veçanërisht të fëmijëve dhe të moshuarve, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe masa parandaluese në përballje me këto kushte të vështira klimatike.